Ekipi i Gardës Kombëtare të New Jerseiy, vizitë pune në BrMR

20 shtator 2013

Në ambientet e BrMR u zhvillua aktiviteti ALBSPP 13001781CE “Senior Leader Interagency Engagement” ndërmjet drejtuesve të Gardës së New Jersey, të kryesuar nga kryekapterët Jerom Jenkins, Vincent P. Morton dhe komandantit të Bigadës së Mbështetjes Rajonale, gjeneral brigade Muhamet Buçpapa. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte diskutimi ndërmjet drejtuesve të Gardës së New Jersey- dhe komandantit të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, mbi mënyrat me të cilat mund të mbështeten autoritete civile para, gjatë dhe pas fatkeqësive natyrore.

Ekipi amerikan fillimisht u prit nga shefi i shtabit i BrMR, kolonel Halil Kuçana, i cili uroi mirëseardhjen dhe punë të mbarë ekipit. Ai e falënderoi ekipin për bashkëpunim e shkëlqyer dhe disavjeçar që zhvillohet midis Gardës Kombëtare të New Jersey dhe BrMR, si dhe përvojën e fituar në njësi nga ky bashkëpunim, në interes të përballimit të emergjencave civile.
Në vazhdim të programit, ekipi amerikan u njoh me kapacitetet dhe aftësitë e BrMR për përballimin e emergjencave civile. Siç dihet BrMR është njësi e specializuar në këtë drejtim dhe ajo ka fituar një përvojë shumë të pasur në përballimin e emergjencave civile, veçanërisht në përballimin e përmbytjeve, të zjarreve, në hapjen e rrugëve nga dëbora, menaxhimin e aksidenteve të ndryshëm, etj.

Gjithashtu, ekipi amerikan zhvilloi një aktivitet të veçantë për promovimin e nënoficerëve në BrMR, ku qëllimi i aktivitetit ishte zhvillimi dhe promovimi i nënoficerëve në FARSH. Sipas programit, këshilltari për nënoficerët në njësi, kryekapteri Gazmend Vata, prezantoi për pjesëmarrësit rolin e nënoficerit në BrMR. Në material doli se në “armatën” e nënoficerëve një pjesë e konsiderueshme e tyre rreth (10%) janë me arsimin e lartë, po kaq njohin mirë gjuhën angleze. Bazë në emërimin e nënoficerëve ka qenë arsimimi e kualifikimi, përvoja dhe performanca në punë, si dhe përputhja gradë funksion. Prioritet janë emërimet në specialitete të veçantë, të cilët kanë ndikim të fuqishëm në operacionet për përballimin e emergjencave. Duke patur parasysh ngarkesën e madhe fizike dhe psikologjike në operacione, rëndësi i është kushtuar përgatitjes fizike.

Aktivitet i rëndësishëm gjatë këtij viti ka qenë përzgjedhja e nënoficerit të vitit, për të cilin, këshilltari për nënoficerët, kryekapter Gazmend Vata, në bashkëpunim me grupin e punës kanë bërë një punë të admirueshme për hartimin e testeve dhe standardeve në përgatitjen fizike dhe atë intelektuale, dhënien e udhëzimeve në reparte dhe zhvillimin e testimeve me seriozitetin e duhur. Kjo punë bëri që përzgjedhja e nënoficerit të vitit të bëhej një aktivitet konkurrues i vlerave midis pjesëmarrësve dhe produkti i fituar një model nxitjeje për të tjerët. Me një grup nënoficerësh të njësisë, ekipi amerikan zhvilloi një bisedë të ndërsjelltë, me pyetje dhe diskutime në lidhje me arsimimin dhe kualifikimin e nënoficerëve nga të dy palët.





Media Sociale



Moti